SHMMQSH “Pançe Karagjozov” fitues i Kuizit të diturisë 2019

Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz më 30 dhjetor 2019, në ambientet e Qendrës Informative Kulturore e organizoi finalen e Kuizit të diturisë 2019. Fitues i sivjetmë i Kuizit u shpall SHMMQSH “Pançe Karagjozov”, vendi i dytë i takoi SHMQSH “Vlado Tasevski”, ndërsa vendi i tretë SHMQSH “Boro Petrushevski”. Tre shkollave finaliste iu ndanë mirënjohje dhe çmime në të holla.

Kuizi i diturisë 2019 u realizua në periudhën nëntor-dhjetor të këtij viti dhe garuan tetë shkolla të mesme të Qytetit të Shkupit. Secila shkollë ishte e përfaqësuar nga tre nxënës, të cilët e matën njohurinë dhe diturinë nga lënda e historisë, gjuhës shqipe, gjeografisë, artit figurativ, artit muzikor dhe kulturës së përgjithshme.

Përveç tre finalistëve në këtë Kuiz të diturisë morën pjesë edhe SHMQSH “Zef Lush Marku”, SHMQSH “Maria Kiri Sklodovska”, SHMQSH “Zdravko Cvetkovski”, SHMQSH “Saraj” dhe SHMQSH “Cvetan Dimov”.